Blog

Këshilla si ta përdorim teknologjinë në të mirë të fëmijëve

Si një prind, me siguri jeni të njohur me shqetësimin e rritjes së fëmijëve në një shoqëri e cila është e gjitha e 'varur' nga teknologjia dhe mund ta shihni këtë të fundit si tepër të rrezikshme dhe të dëmshme për shëndetin emocional dhe fizik të fëmijës suaj. Por, nëse ajo trajtohet në mënyrën e duhur, në fakt kthehet në asistentin më të mirë të tyre. Më poshtë do të listojmë disa nga përfitimet që ata marrin përmes përdorimit 'të shëndetshëm' të teknologjisë dhe se si ju mund t'i drejtoni fëmijët tuaj në këtë shteg.

Teknologjia është burim dijesh

Sot biblioteka më e madhe në botë ndodhet online dhe është e aksesueshme nga kushdo, kudo ndodhet. Mënyra më e mirë për ta kthyer teknologjinë në dobi të fëmijëve është duke i nxitur që ta përdorin internetin për të zgjeruar dijet e tyre në tema të ndryshme që mund të jenë interesante për ta (kafshët, dinozaurët, vullkanet, oqeanet, sistemi diellor etj.) përmes artikujve dhe videove të ndryshme.

I ndihmon në socializim

Disa prindër kanë vendosur t'i mbajnë fëmijët të izoluar ndaj çdo pajisje teknologjike, edhe pse shqetësimi i tyre është i kuptueshëm, ne në SmartKids duke qenë partizanë të së mesmes së artë apo balancës mendojmë se izolimi total ndaj teknologjisë është po aq i dëmshëm sa dhe ekspozimi pa limit e kontroll ndaj saj. Për çdo prind socializimi i fëmijës së tyre është shumë i rëndësishëm, dhe po njësoj si ne të rriturit, edhe fëmijët zgjedhin të afrohen me ata fëmijë me të cilët ndajnë cilësi apo interesa të përbashkëta. Një nga dëmet që i shkaktohet fëmijëve nga izolimi ndaj teknologjisë është që mund të ndihen të përjashtuar nga një grup ku fëmijët diskutojnë për lojëra apo njohuri të tjera që përfitojnë duke përdorur mjete teknologjike dhe duke komunikuar me njëri-tjetrin përmes tyre edhe kur nuk janë afër fizikisht.

Komunitete me interesa specifike

Trendet e fundit tregojnë që mënyra më e mirë për t’i integruar në shoqëri fëmijët e interesuar me teknologjinë, është duke krijuar grupe me interesa të përbashkëta, për të cilat po krijohen edhe së fundmi komunitetet përkatëse, si përshembull komuniteti i gaming “GameJam Tirana”, ku ekspertët e fushave arrijnë të bashkojnë fëmijët e talentuar dhe të interesuar në ndërtimin e lojërave që të marrin njohuritë dhe motivimin e duhur, si edhe të gjejnë shokë me interesa të përbashkëta që bashkohen për të ndërtuar lojëra të vërteta që shpërndahen në të gjithë botën! Duke qenë të ekspozuar ndaj profesionistëve ose fëmijëve më të rritur që kanë arritur të kenë sukses, ata shohin konkretisht se sa të ardhme kanë ato fusha dhe kështu motivohen që të zgjedhin ta përdorin teknologjinë gjithmonë në funksion të karrierës së tyre.

Është argëtues

Cili është përdorimi kryesor i kompjuterit apo tabletit sipas një fëmije? Sigurisht që për të luajtur lojëra. Edhe pse shumë prej nesh i shohim lojërat në kompjuter apo telefon 'si armikun kryesor' për shëndetin psikologjik të fëmijëve në fakt lojërat janë një metodë e mirë për t'i afruar ata me njëri-tjetrin, por jo vetëm. Lojërat ndihmojnë në zhvillimin e mendimit kritik dhe analitik, përshpejtojnë aftësinë e tyre të reagimit, inkurajojnë punën në grup, stimulojnë kreativitetin, përqendrimin dhe kujtesën. Sigurisht, jo të gjitha lojërat janë të përshtatshme për ta dhe duhet treguar kujdes se cilat duhet të lejoni që ata të luajnë. Ne ju sugjerojmë lojëra të cilat janë stimuluese për trurin, që zhvillojnë reflekset dhe janë edukuese.

Është i dobishëm

Kur flasim për teknologjinë, në mënyrë të pandërgjegjshme, mendja na shkon në rrjetet sociale ose faqe të ndryshme të internetit. Por teknologjia, fatmirësisht, nuk është vetëm kaq. Ju vetë mund t'i edukoni fëmijët me anën e dobishme të çdo mjeti teknologjik duke filluar që nga telefoni celular. Ju sugjerojmë të filloni duke i mësuar si të telefonojnë të afërmit, pavarësisht moshës që fëmijët kanë, në mënyrë që ta shohin celularin si një mjet komunikimi. Gjithashtu, mësojini si të përdorin aplikacione të tjera që celulari ka: hartën, kamerën, makinën llogaritëse, busullën, orën me zile dhe kalendarin.

Konkluzionet

Anët pozitive që teknologjia ka në zhvillimin e fëmijëve nuk mund t'i injorojmë. Që nga përmirësimi i edukimit e deri te mundësitë e ndryshme të argëtimit që ofron, ajo kthehet në një mjet shumë të fuqishëm dhe shkakton një ndikim të madh në jetën e kujtdo. Kështu që, si prindër dhe mësues, është e rëndësishme ta përqafojmë teknologjinë dhe ta përdorim në mënyrën e duhur që të ndihmojmë në zhvillimin e fëmijëve.

Lini një Përgjigje

sqShqip