Blog

Fëmijët dhe Mediat Sociale - 10 këshilla nëse lejoni fëmijët tuaj të përdorin mediat sociale

Teenagers in Social Media, practical tips and advices when using social media in a safe and healthy way.

Të krijosh një profil në rrjetet sociale sigurisht që ka anë pozitive gjë e cila e bën dhe kaq tërheqëse për shumë prej nesh, por nuk duhet të harrojmë që prania në to mund të na ekspozojë ndaj disa situatave të pakëndshme e deri të rrezikshme. Grupmosha më e prekur ndaj situatave të tilla zakonisht janë adoleshentët, për këtë arsye nëse keni vendosur t'i lejoni fëmijët tuaj të krijojnë profile në rrjete sociale ose nëse tashmë kanë prezencë online ju sugjerojmë të lexoni këto këshilla në mënyrë që të krijoni një ambient sa më të sigurt për ta, si fizikisht ashtu dhe virtualisht.

1. Eduko veten për platformat e rrjeteve sociale:

Sa më shumë platforma të njihni, aq më shumë do të jeni në gjendje të bëni një vlerësim më të mirë për ato që janë më të përshtatshme për fëmijët tuaj.

Këtu kemi listuar disa nga aplikacionet dhe faqet më të njohura sociale për fëmijë dhe adoleshentë:

  • WhatsApp
  • Snapchat
  • Instagram
  • TikTok
  • Discord
  • Tumblr
  • Pheed
  • Kik
  • ask.fm
  • Reddit
  • Yik Yak

2. Limiti i moshës:

Shumë platforma kërkojnë një moshë minimale për përdorimin e tyre. Informohuni rreth moshave të lejuara dhe dakortësohuni për momentin e duhur kur fëmija juaj mund të fillojë të përdorë media sociale, duke gjykuar dhe duke u konsultuar edhe me prindër të tjerë, sidomos prindërit e shokëve të tyre që mund t’i nxisin që të kenë edhe ata media sociale.

3. Cilësimet e privatësisë:

Sigurohuni që profili i fëmijës suaj të jetë privat dhe që informacionet personale të tij si dhe fotografitë të jenë të mbrojtura. Nëse privacia e profilit në përgjithësi ose e postimeve specifike qëndron në opsionin “Publik”, fotografitë dhe informacionet e tjera do të jenë të dukshme edhe nga palë të treta, që mund të abuzojnë me to dhe dëmi që mund të shkaktohet është shumë i madh, jo vetëm në periudhën afatshkurtër, por edhe në atë afatgjatë. Një praktikë e mirë që vrojtohet shpesh është që profilet e fëmijëve në rrjetet sociale të jenë me nofka, në vend të emrit të vërtetë.

4. Kontaktet:

Parandaloni kontaktet me të panjohur duke e bërë fillimisht profilin e fëmijës suaj privat, që të keni më shumë kontroll mbi lejimin e lidhjes me kontakte të reja. Gjithashtu, lista e ndjekësve ose kontakteve duhet kontrolluar periodikisht për të verifikuar nëse kontaktet e tyre janë të rregullt dhe nuk ka të panjohur.

5. Parandaloni postimin e detajeve personale:

Ndërgjegjësojini fëmijët tuaj për rreziqet që sjell postimi i informacionit personal si numra të telefonit, adresat ose vendndodhjet. Duhet që tek fëmijët të zhvillohet intuita që mos të publikojnë informacione për rutinat e tyre të përditshme, si rrugët ku kalojnë apo ambientet që frekuentojnë, pasi këto detaje mund t’i vendosin ata në rrezik kur nuk janë të shoqëruar nga prindërit. Ndonjëherë edhe videot e xhiruara brenda shtëpisë mund të bëhen subjekt interesi për persona me qëllime të këqija, pasi aty mund të duken orenditë e shtëpisë.

6. Shmangni postimin e materialeve të rrezikshme:

Fëmijët të jenë të kujdesshëm me materialet që postojnë për të parandaluar situata të rrezikshme ose keqkuptime që çojnë në ofendim të shokëve të tyre ose komuniteteve rrotull tyre. Ju sugjerojmë ta vizitoni shpesh profilin e fëmijës suaj në mënyrë që të kuptoni si ndërveprojnë ata në botën virtuale dhe si janë reagimet e të tjerëve.

7. Zgjidhni një fjalëkalim të sigurt:

Dëgjojmë shpesh raste hakerimi të profileve, ndaj për të shmangur një situatë të tillë duhet të zgjidhni një fjalëkalim të gjatë me një kombinim numrash, shkronjash dhe simbolesh për të mbrojtur llogarinë e tyre nga hyrjet e paautorizuara. Gjithashtu, fjalëkalimi nuk duhet ndarë me askënd tjetër, edhe nëse shokët e tyre janë të afërt ose familjarë të tjerë të besuar. Ndonjëherë fjalëkalimet mund të ekspozohen edhe pa dashur ose pa dijeninë e të tjerëve që e zotërojnë atë fjalëkalim në mirëbesim. Gjithashtu, nuk duhet të futen me profilet e tyre në pajisje të tjera të huaja, pasi këto të fundit mund të jenë të kompromentuara dhe kjo mund të shkaktojë vjedhjen e tyre. Duhet aktivizuar edhe 2FA (Two Factor Authentication) nëpërmjet përdorimit të një numri telefoni ose e-mail për të marrë kodin e dytë të sigurisë që nuk mund ta ketë askush tjetër.

8. Mos prano kërkesa miqësie nga të panjohur:

Nësë fëmija juaj pranon kërkesa miqësie nga të panjohur, kjo mund të përbëjë rrezik. Këshillojini ata të pranojnë kërkesa miqësie vetëm nga njerëzit që njohin në jetën reale, si familjarë apo shokë e shoqe. Fëmijët duhen edukuar që të mos bien pre e mesazheve që mund të dërgohen nga palë të treta që përmbajnë oferta apo ftesa interesante, ose me qëllime ofenduese apo kërcënuese.

9. Vendosni rregulla për përdorimin e tyre:

Kur futesh online koha 'fluturon' dhe kjo gjë përbën problem si për të rritur dhe për adoleshentët. Duhet të vendosni një limit kohe se sa duhet të qëndrojnë online duke pasur parasysh që kjo moshë nuk duhet të kalojë më tepër se dy orë në ditë. Përcaktoni rregulla për kohën e qëndrimit të tyre në rrjete sociale dhe për llojet e postimeve të lejueshme. Lojërat që luhen në grup, ose multiplayer, shpesh bëhen gjithashtu subjekt abuzimi nëse nuk tregohet kujdes. Në rastet më të shpeshta, për shkak të nervave dhe humbjeve në lojë, fëmijët mund të bëhen agresiv dhe mund të flasin me fjalor të papërshtatshëm, ndaj këshillojini që gjatë kësaj kohe të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë edhe fitoren e të tjerëve.

10. Mbani një dialog të hapur:

Ruani komunikimin e hapur me fëmijët tuaj dhe inkurajojini ata t'ju informojnë për përvojat e tyre në rrjetet sociale dhe për çdo ndjesi të pakëndshme që mund të kenë përjetuar për të shmangur situata si bullizimi virtual. Komunikimi është shumë i rëndësishëm, pasi ky i fundit vlen edhe për ju si prindër për të pasur aftësinë që të kuptoni më qartë se si fëmijët tuaj ndërveprojnë në botën virtuale. Një komunikim i mirë dhe i bazuar në mirëbesim, do t’i bëjë fëmijët që të ndihen edhe më të mbështetur dhe më të mbrojtur, si dhe më të përgjegjshëm për veprimet e tyre.

 

Vërejtjet dhe konkluzionet tona: 

Këshillat dhe udhëzimet e dhëna më lart mund të ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme për të udhëhequr dhe kuptuar sjelljen e fëmijëve në rrjetet sociale. Megjithatë, është jetike që i gjithë komuniteti të njohë rëndësinë e edukimit të duhur për këtë çështje. Tek SmartKids, ne i japim përparësi kësaj teme, veçanërisht në kursettona të Informatikës. Që në fillim të kursit, ne kushtojmë seksione të veçanta për atë që ne e quajmë "qytetaria digjitale". Kjo përfshin rregulla dhe udhëzime për sjellje të përshtatshme dhe të sigurt në internet.

Për të eksploruar më tej konceptin e qytetarisë digjitale dhe për të gjetur burime të gjera mbi mësimin e fëmijëve rreth sjelljes së sigurt dhe të përshtatshme në internet, konsideroni të vizitoni Common Sense Media. Kjo organizatë ofron njohuri të vlefshme dhe udhëzime për prindërit dhe edukatorët që përpiqen të krijojnë një mjedis digjital të sigurt dhe përgjegjës për përdoruesit e rinj.

 

Lini një Përgjigje

sqSQ